Author:
Potera Ismet,Mehmeti Selim
Abstract
Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve në Kosovë është pjesë e sistemit të licencimit të mësimdhënësve, i cili paraqet një risi në vendosjen e procedurave të vlerësimit të përgjegjësisë, por edhe të cilësisë së arsimit. Hulumtimi u zhvillua me mësimdhënësit që nuk e dinin nëse ishin ose jo pjesë e fillimit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve. Por, secili ishte në pritje se mund të përzgjidhej për të qenë pjesë e pakos së parë të vlerësimit nga ana e Inspektoratit të Arsimit. Qëllimi i hulumtimit ishte marrja e mendimit dhe qëndrimit të mësuesve lidhur me një proces, pjesë e të cilit do të jenë. Gjithashtu, pjesë e këtij qëllimi ishte edhe identifikimi i cilësisë së informimit të tyre lidhur me këtë proces. Rezultatet tregojnë se mësuesit nuk ishin sa duhet të informuar për procesin e vlerësimit dhe kishte dallime në format e marrjes së informatave për procesin dhe për përmbajtjen e vlerësimit. Hulumtimi është realizuar me një mostër prej 237 mësimdhënësish para vlerësimit të performancës. Qasja ka qenë sasiore dhe është realizuar me anë të një pyetësori. Paraprakisht është pilotuar në një mostër të rastit, prej 30 mësimdhënësish. Instrumenti përbëhet nga çështjet demografike të mostrës, aspektet e informimit për procesin e vlerësimit të performancës, mendimi për vlerësimin si dhe qëndrimet për aspektet e vlerësimit.
Gjithashtu, rezultatet dëshmojnë se mësimdhënësit presin nga vlerësimi t’u ndihmojë në avancimin profesional. Një pjesë ndihen të stresuar, se si do të dalë vlerësimi i tyre.
Publisher
Kosovo Pedagogical Institute