Abstract
Në dy dekadat e fundit, mjedisi mediatik ka pësuar ndryshime drastike, që kanë ardhur si rrjedhojë e zhvillimit të teknologjisë. Dita e një gazetari ka ndryshuar rrënjësisht. Veçanërisht dhjetë vitet e fundit janë shfaqur mjete dhe praktika të reja, që u diktojnë gazetarëve praktika të reja në punën e përditshme. Çdo ditë përballemi me fakte të reja; ndërkohë që audienca sa vjen e kërkon mundësinë e reagimit ndaj lajmit; lajmi nuk është më monopol vetëm i gazetarëve; çdo ditë e më shumë shohim se janë shtuar ndjeshëm perspektivat e ndryshme të tregimit të të njëjtave ngjarje. Janë pikërisht rrjetet sociale që tashmë janë një burim masiv i prodhimit të lajmit.
Sa vjen e rritet numri i personave influencues te publiku, të cilët ndiqen më nga afër dhe krijojnë lidhje të drejtpërdrejtë me audiencën. Publiku është i angazhuar në mënyrë mjaft aktive me ndryshimet që ndodhin në botë. Nga çdo vend i globit mbërrijnë nëpër faqet e lajmeve në internet dhe në ekranet e televizioneve, në formën e shkruar, me fotografi apo video informacione nga më të ndryshmet.
Dalja në pah e këtyre praktikave të reja detyrojnë “shpikjen” e mënyrave të reja të prodhimit të informacionit. Në këtë situatë pa dyshim që është i pashmangshëm ripërkufizimi i vendit që zë gazetaria profesioniste në këtë sistem të ri informacioni.
Platformat digjitale, rrjetet sociale, përfshirja e publikut në prodhimin e lajmeve, ka shkaktuar fragmentarizimin e audiencës dhe, për pasojë, gazetari ndihet vazhdimisht nën presionin e humbjes së monopolit mbi informacionin. Ekziston frika se fenomenet që sjell zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë mund të dëmtojnë cilësinë e punës së gazetarit. Por, në të vërtetë, e gjithë kjo situatë e re i jep më shumë mundësi medies për të avancuar pa cenuar cilësinë dhe misionin e gazetarit. Zhvillimi teknologjik shtron rrugën drejt një gazetarie më të mirë dhe për gazetarë më të pavarur, dhe nuk mund të konsiderohet si krizë për medien dhe për gazetarët. Vlerat mbi të cilat mbështetet profesioni i gazetarit, nuk do të tjetërsohen asnjëherë. Gazetari do të vazhdojë të jetë në shërbim dhe në interes të publikut përmes mbledhjes, prezantimit dhe shpërndarjes së lajmit; gazetari do të vazhdojë të jetë objektiv, neutral, i paanshëm dhe i drejtë; autonomia e gazetarit nuk cenohet nga zhvillimet teknologjike dhe gazetari do të vazhdojë të ketë lirinë për raportuar të vërtetën, atë që dëgjon e që sheh. Do të duhet ta realizojë këtë në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e vlefshme për publikun. I gjithë ky proces do të duhet të jetë brenda një kuadri etik. Vlerat mbi të cilat gazetari realizon punën e tij, janë bazat e gazetarisë, bazat e çdo akti gazetaresk, dhe që u japin gazetarëve legjitimitet për atë që bëjnë.
Bazuar pikërisht mbi këto vlera, gazetari ushtron funksionet e tij, për të realizuar misionin e tij. Qëllimi kryesor i një gazetari është t’u japë qytetarëve informacion të saktë e të qëndrueshëm. Pra, gazetari është së pari siguruesi i informacionit dhe së dyti, gazetari ka një përgjegjësi shoqërore, si një rojtar i shoqërisë në funksion të standardeve të sistemit demokratik.
Ajo çfarë ka ndryshuar në epokën e gazetarisë digjitale është pikërisht praktika e gazetarit. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si punon një gazetar në përditshmërinë e tij, cilat janë metodat e teknikat që ai aplikon për të arritur qëllimin që ka, si dhe për të përmbushur funksionin e tij. Pra praktika ka të bëjë me rutinën e përditshme të një gazetari.
Publisher
Qendra për marrëdhënie ndërkombëtare e studime ballkanike